logo
Emri:



Certifikohen të zgjedhurit vendorë në kursin “Zhvillim i qëndrueshëm vendor”



Më 29-30 qershor u organizua në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) kursi i trajnimit për përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore (NjQV). Kursi u organizua në Durrës dhe u ndoq nga 20 përfaqësuesit e zgjedhur lokalë dhe anëtarëve të administratave vendore të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Kamzës, Burrelit, Vau të Dejës, Përmetit, Beratit, Kavajës, Shijakut, Lushnjës, Himarës.

Tematika e "Zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimi i territorit" trajtoi për pjesëmarrësit praktikat më të mira dhe metodologjitë për planifikimin e një strategjie për zhvillimin rajonal. Eksperti z. Ismail Beka, ndau përvojën e organizatës GIZ në zhvillimin e strategjive të turizmit në zonat rurale (si përshembull shtëpitë e pritjes për turistët në pjesën veriore të vendit) dhe projekteve për shfrytëzimin me efikasitet të energjisë.

Moduli i dytë "Bashkëpunimi ndërkomunal" u ofroi pjesëmarrësve mundësinë për të diskutuar çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërmjet njësive të qeverisjes vendore. Praktikat më të mira si grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve në Bushat të rajonit të Shkodrës dhe ai i Maliqit në Korçë, janë prezantuar nga znj. Alba Dakoli Ëilson, drejtore e organizatës FLAG.

Sesioni i tretë "Roli i NJQV dhe kompetenca në Planeve Zhvillimore Strategjike" njohu të pranishmit me shembujt e përvojës evropiane në këtë proces, të prezantuara nga znj. Albana Dhimitri, drejtor e "Institutit të Politikave Publike dhe Private". Dy seancat e tjera patën si temë të tyre qendrore procesin e planifikimit strategjik të zhvillimit lokal. Ekspertet znj. Vasilika Vjero dhe znj. Ogerta Manastirliu, paraqitën një pasqyrë të instrumentave për harmonizimin e strategjive kombëtare dhe lokale të zhvillimit.

Pas përfundimit të kursit, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata të lëshuara nga Akademia e Studimeve Politike dhe Instituti i Trajnimit të Administratës Publike. Gjithashtu, atyre iu mundësuan edhe  dy botime të fundit mbi Bashkëpunimin ndërkomunal, të përgatitura në kuadër të projektit "Përforcimi i strukturave lokale dhe rajonale në Shqipëri", i mbështetur nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri.


Ndryshimi i fundit: 06-06-2013